Irani tregon forcën mes tensioneve në rritje

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka paralajmëruar Perëndimin të “qëndrojë larg” Gjirit Persik, ndërsa më pas ka treguar forcën e vendit të tij me një paradë ushtarake.

Ruhani tha se forcat e huaja kishin sjellë gjithmonë dhimbje dhe mjerim dhe se nuk duhet të përdoreshin për një garë armësh, ndërsa më tej, ai zhvilloi edhe një paradë gjigante ushtarake.

Në paradë u shfaqën tanke, automjete të blinduara dhe raketa, mes të cilave edhe raketa e quajtur “Khorramshahr”, e cila thuhet se ka një rreze prej 2 mijë kilometrash dhe mund të arrijë deri në bazat amerikane.

Ruhani tha gjithashtu se Irani do të prezantonte një iniciativë të re paqeje gjatë ditëve në vazhdim në Kombet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë trupa në Arabinë Saudite pas sulmit ndaj rafinerive saudite të naftës, që, sipas Uashingtonit dhe Rijadit, është ndërmarrë nga Irani. Mark Esper, Sekretari i Mbrojtjes, tha: “Presidenti ka aprovuar dërgimin e trupave amerikane, të cilat do të angazhohen në operacione mbrojtëse, veçanërisht ajrore dhe raketore. Pajisje ushtarake do të dërgohen në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara, për të përmirësuar aftësinë e tyre për t’u mbrojtur”.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë këtij viti, pas vendimit të Presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që parashikonte kufizimin e aktiviteteve nukleare të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. 

Shkarkoni aplikacionin e A2