Mbledhje qeverie në mesnatë për tërmetet, Rama: Të inspektohet me detaje çdo pallat – A2

Mbledhje qeverie në mesnatë për tërmetet, Rama: Të inspektohet me detaje çdo pallat

rama 3 1100x620

Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë në mesnatë për të bërë bilancin e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet që goditën vendin ditën e shtunë.

Kreu i qeverisë theksoi se duhen mbledhur grupet e punës për të bërë inspektimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Duhet të fokusohemi tek çdo familje që ka një dëm. Bëj apel për kompanitë e ndërtimit që të vënë në dispozicion individë të stafeve të tyre teknike, për të krijuar disa grupe që do të shumfishonin forcën monitoruese në terren, pasi i ai numër godinash, pallatesh apo shtëpi është jo i pakët në raport me nevojën për të pasur një inspektim të detajuar dhe nevojën për të kuptuar se ku ka thjesht dhe vetëm plasaritje sipërfaqësore, apo ku ka krisje që kanë cenuar strukturën”, deklaroi Rama.

Kryeministri foli edhe për çarjet e godinave, fotot e të cilave “pushtuan” rrjetet sociale.

“Është e nevojshme që të bëhet dallimi. Ka një element në godinat e mëdha që është pjesë e sistemit të mbrojtjes nga tërmeti, që është aty për të siguruar ato spostimet që shumëkujt i duken si çarje e pallatit, por në fakt është pikërisht e parashikuar në gjithë organizimin e strukturave të godinës. Por, ama, nga ana tjetër, në këtë aspekt duhet bërë një inspektim i detajuar për të kuptuar se ku bëhet fjalë për këtë element dhe ku mund të ketë cenime të strukturës. Kjo kërkon një bashkëpunim të madh dhe intensiv me bashkitë”, tha Rama.