Rama mbledh grupin socialist: Të gjithë të kontribuojmë për të prekurit nga tërmeti

Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes me prefektët, të cilët i dërgoi të gjithë në Durrës për të komunikuar me familjet nën stres pas tërmetit të fortë që goditi dje qytetin, mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Në këtë mbledhje, kreu i qeverisë tha se të gjithë deputetët, ministrat dhe kryebashkiakët do të ndahen në të gjitha zonat e prekura nga tërmetet për të zhvilluar komunikime me qytetarët.

Gjithashtu, theksoi se do të nisë mbledhja e kontributeve për të prekurit nga tërmeti.

“Më parë, Partia Socialiste ka dhënë një kontribut që ka shkuar për të prekurit nga tërmeti në Qarkun e Korçës. Edhe një grup kompanish janë përfshirë në këtë proces, edhe nga Buxheti i shtetit kemi vendosur një shumë. Të njëjtë gjë do bëjmë përsëri, çdo bashki do përfshihet me një kontribut sado modest. Inventari i zhdëmtimeve do të saktësohet, kemi eksperiencë pozitive nga tërmeti në disa fshatra në Korçë, ku u shembën disa shtëpi. Nuk është rasti ky për zonën e prekur dje, pasi nuk ka shtëpi të rrafshuara, por çdo bashki do të përfshihet me një kontribut. Strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale janë angazhuar për të asistuar familjet. Besoj që një ndarje e shpejtë e zonave do të na nevojitet për t’i ngarkuar çdo bashkie një pjesë solidariteti, sidomos me familjet, jo thjesht infrastruktura”, tha Rama.

“Fatmirësisht, paniku ka qenë shumë më i madh sesa dëmet, në kuptimin që nuk kemi një dëm siç mund të kishim nëse tërmeti do të ishte edhe pak më i fortë, por kjo nuk do të thotë që të mos shikojmë se ai që e ka në kurriz, dëmin e ka shumë të madh”, shtoi kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin e A2