Rama: Të gjithë në Durrës, kontaktoni sy më sy me familjet nën stres

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e sotme me prefektët në Ministrinë e Mbrojtjes, urdhëroi që të gjithë prefektët të nisen për në Durrës për të kontaktuar me çdo familje që ndihet nën stres nga tërmeti i fortë i pasdites së djeshme dhe nga tërmetet që pasuan më tej.

“Kërkoj që të gjithë prefektët të spostohen në Durrës me synimin që çdo familje që hyn në rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë natës ka qëndruar jashtë, të kontaktohet. Kjo do të thotë që brenda ditës së sotme të kontaktohen të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët dhe ministrat, pasi është një moment psikologjik që kapërcehet me komunikim dhe me praninë e të tjerëve. Jo familjet nën stres që flasin vetëm me njëra-tjetrën”, theksoi Rama.

Kryeministri gjithashtu kritikoi prefektin e Durrësit dhe urdhëroi që sot stadiumi i qytetit të hapet për të mirëpritur këdo që dëshiron të kalojë natën jashtë.

“Dje u mora unë me dritat e stadiumit dhe nuk duhet të jetë kështu. Njerëzit ishin mbledhur rreth stadiumit dhe duhet të hapeshin dritat, që të mos qëndronin në gjysmëerrësirë nëpër rrugica. Sot stadiumi duhet të jetë i hapur dhe i pajisur me të gjithë strukturën akomoduese. Janë 700 shtretër në dispozicion në konvaleshencë, duhet të ketë në dispozicion autobusë për shoqërim në rast se duan të kalojnë natën jashtë. Këto gjëra duhet të bëhen sot”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë përsëriti edhe se “plasaritjet jo domosdoshmërisht përbëjnë rrezik, në shumicën e herëve nuk përbëjnë rrezik”.

“Nuk është çarje pallati, por fugë sizmike që janë ndarje të brendshme strukturore të parashikuara për tërmetin që bëjnë shkëputjen për të amortizuar goditjen. Nga ana tjetër, çdo plasaritje duhet inspektuar dhe çdo cenim i çdo pallati të inspektohet, pasi mund të jetë reagim i fugës sizmike që është për atë punë, por mund të jetë edhe cenim strukturor i rrezikshëm”, shpjegoi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2