Tërmeti dëmtoi 73 banesa edhe në Belsh, Balla: Të gjithë në terren

Tërmeti i fuqishëm i së shtunës ka shkaktuar dëme edhe në Belsh të Elbasanit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga deputeti Musa Ulqini dhe Kryetari i Bashkisë Arif Tafani ishin sot pranë disa familjeve në qytetin e Belshit për të parë nga afër gjendjen e banesave të cilat janë dëmtuar nga tërmeti i ditës së djeshme.

Në fjalën e tij Balla tha se në bashkinë Belsh janë raportuar më shumë banesa me dëmtime. Sipas Shtabit të Emergjencës janë 73 banesa me dëmtime në këtë bashki.

“Jemi të gjithë në terren për t’ju gjendur pranë familjeve, banesat e të cilave janë prekur nga tërmeti i djeshëm. Kryesisht banesat e dëmtuara janë ndërtime të vjetra, sepse në ndërtimet e reja nuk janë raportuar deri më tani dëme. Duhet të kuptojmë që goditjet e djeshme ishin të forta 5.8 shkalla Rihter herë 1.37 shkon afërsiaht 7.9 ballë. Shumë pranë Shqipërisë pak vite më parë një tërmet i ngjashëm pati pasoja katastofike. Por të gjithë e dimë që tërmetet janë fatkeqësi natyrore të paparashikueshme. Reagimi pas tyre është në dorën tonë. Pas panikut të parë, Shqipëria është e gjitha solidare për ta kaluar këtë situatë. Masat e marra deri më tani nga Qeveria janë të plota. Vetë Kryeministri Rama ndërpreu vizitën e rëndësishme në SHBA dhe është vetë në krye të shtabeve të emergjencës në Durrës e Tiranë. Qeveria ka të garantuar po ashtu buxhetin për këtë situatë. Punonjësit e caktuar të Bashkisë dhe të Qarkut do të bëjnë evidentimin e dëmeve dhe më pas fillon puna për sistemimin e dëmtimeve dhe rikthimin në normalitet. Në disa shtëpi do të fillojmë riparimin edhe me mbështetje solidariteti nga sipërmarrja, madje edhe nga diaspora”, deklaroi Balla. Qarku Elbasan ka regjistruar rreth 113 banesa apo objekte të tjera të dëmtuara nga tërmeti i djeshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2