Tërmeti i fuqishëm, mbyllen për një ditë shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka njoftuar se ditën e hënë nuk do të zhvillohet mësim në Tiranë, Durrës dhe në Elbasan, shkak janë bërë lëkundjet e forta sizmike.

Shahini është shprehur se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e të gjitha shkollave dhe ka konfirmuar se nuk ka nxënës apo mësues të lënduar. Po ashtu, ajo ka theksuar se vetëm 2 shkolla janë raportuar në gjendje jo të sigurta për shkak të tërmetit.

“Një nga këto shkolla është klasë vartëse e shkollës qendër “Berxullë”, me numër të vogël nxënësish të cilëve do t’i sigurohet transporti për t’i dërguar në shkollën qendër.  Ndërsa shkolla tjetër, është prapë shkollë vartëse në Tiranë, por do të bëjmë njoftimin për këtë shkollë pasi të marrim konfirmimin final nga Bashkia Tiranë për gjendjen e saj. 98 shkolla të tjera kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, në muret e brendshme të shkollave apo ato të jashtme – pjesa kryesore e të cilave janë sanuar dhe pastruar gjatë ditës së sotme nga ekipet e bashkisë. Pra, dua t’ju siguroj, se infrastruktura shkollore është gati për të vazhduar normalisht mësimin qysh nesër”, tha Shahini.

Megjithatë, ministrja e Arsimit ka bërë të ditur se dita e hënë do të jetë pushim pasi nxënësit nuk janë ende gati emocionalisht të shkojnë në shkollë.

“Infrastruktura shkollore është plotësisht gati që të fillojnë mësimet ditën e nesërme. Qytetarët nuk janë gati emocionalisht që të vijnë në shkollë. Është e kuptueshme dhe duke marrë këtë parasysh dhe duke dëgjuar psikologët kemi vendosur që dita e nesërme në Tiranë, Elbasan dhe Durrës do jetë pushim”, ka thënë ministrja Shahini.

Shkarkoni aplikacionin e A2