Tërmeti më i fortë në 30 vitet e fundit, fatmirësisht pa viktima

Ora 16:03 e së shtunës së datës 21 shtator 2019 do të mbahet mend gjatë nga të gjithë banorët e qytetit të Durrësit dhe më gjerë. Në këtë orë, qyteti bregdetar është goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5,8 i shkallës Rihter dhe me një intensitet mbi 7,5 ballë, që ka vazhduar për më shumë se 20 sekonda.

Lëkundjet e forta kanë shkaktuar panik dhe frikë tek banorët, të cilët, të frikësuar kanë nxituar të dalin nga banesat dhe pallatet ku qëndronin. Dhjetra banesa dhe pallate pësuan çarje, rrëzime suvash si dhe dëmtime të pjesshme.

Fatmirësisht, këto lëkundje, që janë cilësuar si më të fortat e 30 viteve të fundit, nuk kanë shënuar viktima, ndërsa në spitalin rajonal janë paraqitur rreth 30 persona me dëmtime të ndryshme të shkaktuara nga rëniet e suvave, kornizave në banesa apo që kanë qenë në tentativë për të dalë nga banesat gjatë kohës që vazhdonin lëkundjet.

Si pasojë e këtij tërmeti pati rrëshqitje edhe një pjesë e Shkëmbit të Kavajës. Dëme pati edhe në njësi shërbimesh si supermarket, ku janë rrëzuar rafte me produkte ushqimore. Pas tërmetit, qyteti i Durrësit ka patur shkëputje të energjisë elektrike, problem me furnizimin me ujë dhe me telefonin e lëvizshëm.

Pas tërmetit i cili u pasua me disa dhjetra lëkundje të tjera më të lehta, një pjesë e mirë e banorëve kanë braktisur banesat dhe janë vendosur në lulishtet dhe pranë stadiumit “Niko Dovana”, ku një pjesë e tyre kanë kaluar natën jashtë, në automjetet e tyre.

Ndërkohë, Emergjencat Civile në Prefekturën e Durrësit kanë nisur menjëherë verifikimin e dëmeve dhe marrjen e masave për riparimin e tyre, në mënyrë të veçantë riparimin e shkollave aty ku do të ketë nevojë për ndërhyrje. 

Shkarkoni aplikacionin e A2