Akuzohet se i bëri presion Ukrainës për të hetuar Biden, demokratët kërkojnë shkarkimin e Trump – A2

Akuzohet se i bëri presion Ukrainës për të hetuar Biden, demokratët kërkojnë shkarkimin e Trump

trump 1 1100x620

Kur u duk se presidenti Donald Trump ia doli të dilte i paprekur nga skandali i Russiagate, një tjetër “erë”  e kundërt ndaj tij po vjen edhe kësaj radhë nga Europa Lindore.  

Demokratët janë tashmë në unison në kërkesën për impeachment, pra për të filluar procedurat për shkarkimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, pas telefonatës që Trump ka bërë me kolegun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

Në telefonatën në fjalë, sipas disa burimeve të shërbimeve sekrete amerikane të përhapura nga media të ndryshme,  Trump ka bërë presion mbi liderit ukrainas në mënyrë që Kievi të fillonte një hetim mbi demokratin Joe Biden dhe djalin e tij Hunter, i cili ka qenë anëtar bordi i një shoqërie gazi në Ukrainë.

Një hetim që si rezultat do të kishte dëmtimin e imazhit të ish zëvendës presidentit Biden, i cili sipas sondazhit është favoriti i demokratëve për të sfiduar Trumpin në nëntorin e vitit të ardhshëm.

“Nuk duam që Biden dhe i biri të sjellin korrupsion në Ukrainë”, mendohet t’ i ketë thënë Trump presidentit Zelenskiy, sipas komisionit hetimor të shërbimeve sekrete të kryesuar nga Adam Schiff.   

Edhe Nancy Pelosi, kryetarja demokrate e Parlamentit që ka refuzuar deri më tani çdo hipotezë impeachment për Trump, duke marrë shumë kritika edhe nga eksponentë të partisë së saj, po bindet.

“Në qoftë se shefi i shërbimeve Joseph Mc Giure nuk do të lejojë zbardhjen e bisedës,  administrata Trump do të shkruaj një kapitull të ri ilegaliteti që do të na çoj në një stad të ri hetimesh”, deklaroi Pelosi.

Nga ana e tij, Trump i ka cilësuar akuzat si “absolutisht të parëndësishme dhe jo serioze”.