Aleatët e Partisë Demokratike i kanë propozuar liderit të opozitës një platformë me 7 pika, që ka për qëllim institucionalizimin e raportit mes të vegjëlve dhe të mëdhenjve brenda opozitës dhe qëndrimin e përbashkët politik.
Pjesë e kësaj platforme është edhe krijimi i senatit politik, që përfshin figura politike, qeverisëse dhe figura intelektuale dhe të shquara, brenda dhe jashtë vendit. Platforma synon edhe ngritjen e Këshillit të deputetëve, ish-ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive, çka duket si një derë që hapet për emrat e njohur te së djathtës, që janë larguar në mëri me lidershipin.
“Këshilli i ish-deputetëve, ish-ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive. Grup që do të ndjekë gjithë praktikat ligjore, që dalin nga grupet e punës. Analizojnë punën e qeverisë. Bashkëpunojnë me strukturat, për të ndërtuar trupën konkurruese, për pushtetin lokal dhe qendror”
Platforma e aleatëve të PD
Platforma propozon edhe një grup pune për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilëve opozita t’u prezantoje fakte se si Rama ka shkatërruar procesin e integrimit europian, por edhe se ndërkombëtarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës politike në vend.
“Dialogu për zgjidhjen e krizës së rënde politike me prezencë të ndërkombëtarëve, me prioritet zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si rruga për daljen nga kriza”
Platforma e aleatëve të PD
Aleatët kërkojnë që opozita e bashkuar të takohet të paktën 1 herë në dy javë.
“Takimet të jenë tematike dhe me subjekt të caktuar çështjesh dhe të shoqëruara me vendimmarrje të shkruar, si dhe personat përgjegjës që do e ndjekin për zbatim. Mbledhja është e detyrueshme të mblidhet me kërkesën e çdonjërit nga kryetarët e opozitës”
Platforma e aleatëve të PD
Platforma synon edhe unifikimin e qëndrimit të opozitës në media. Prandaj propozohet koordinimi i qëndrimeve mediatike, në mënyrë të përditshme. Përcaktimi i një ose më shumë zëdhënësve të opozitës dhe krijimi i një faqeje zyrtare dhe rrjeteve sociale për opozitën me një mesazh politik dhe elektoral të miratuar nga kryetarët.