Banesat e dëmtuara nga tërmeti, Braçe: Heqim tarifat për lejet e ndërtimit

Zëvendëskryeministri Erion Braçe, në një konferencë për shtyp, u shpreh se shteti është në funksion të plotë pas tërmetit të së shtunës, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur.

“Kemi zgjedhur që punën ta bëjmë drejtpërdrejtë nga terreni. Nuk e bëjmë për t’i treguar njerëzve se çfarë bëjmë ne, por për t’i treguar të tjerë njerëzve se çfarë duhet të bëjnë para se të dalin në televizor.

Ju konfirmoj se e gjithë infrastruktura rrugore është e sigurt. E gjithë infrastruktura e ujësjellësve është e aksesueshme dhe e sigurt. E gjithë infrastruktura energjetike është e aksesueshme dhe e sigurt. E gjithë infrastruktura shëndetësore është e aksesueshme dhe në funksion të plotë. E gjithë infrastruktura arsimore është e aksesueshme. Shteti është funksional dhe po shërben me të gjithë fuqinë e tij. Nuk ka asnjë element të kaosit, neglizhencës apo të moskryerjes së detyrës.

Kryeministri po udhëheq të gjithë menaxhim e kësaj situate. Ministrja e Mbrojtjes, një supergrua, ka 48 orë në krye të menaxhimit të emergjencave civile dhe çdo strukture tjetër të ngritur menjëherë në funksion të përballimit të kësaj emergjence, atje te njerëzit”, tha Braçe.

Më tej, Braçe theksoi se do të lehtësohen procedurat për leje ndërtimi, ndërsa do të hiqen edhe tarifat.

“Brenda 48 orëve që vijnë do të lehtësojmë në maksimum procesin e lejeve të ndërtimit për objektet e dëmtuara nga tërmeti dhe çlirimin nga çdo tarifë apo taksë që lidhet drejtpërdrejtë me procesin e rindërtimit të banesave, veçanërisht për ato familje që kanë shprehur vullnetin e tyre për t’i rindërtuar vetë banesat”, tha zëvendëskryeministri Braçe.

Shkarkoni aplikacionin e A2