Haradinaj: Veseli e Thaçi e kanë dëmtuar pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj akuzoi aleatin e tij në Qeveri, Kadri Veseli dhe Presidentin Thaçi se i kanë shkaktuar dëme të mëdha pavarësisë së Kosovës. Gjatë një takimi me simpatizantë në Gjilan, Haradinaj tha se ata nuk i kanë dhënë rëndësinë e merituar faktit se Kosova është e pavarur. “Ata u kanë vështirësuar punët edhe partnerëve, sepse në drejtimin e tyre Kosova paraqitej si një vend që nuk mund ta qeverisë veten”, tha Haradinaj.

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK- PSD shtoi se sfida e Kosovës është të vërtetojë pikërisht këtë. “Një shtet kur e shpall veten të pavarur, është i detyruar ta qeverisë veten dhe t’i mbajë përgjegjësitë. Nëse nuk e qeveris veten, është dëm i madh, mohohet ajo që ka ndodhur dhe mund të humbet ndonjë prej komponentëve të pavarësisë. Pavarësia të detyron të qeverisësh vetë, t’i mbash përgjegjësitë, dhe t’i mbash raportet. Prej këtij rreziku, humb edhe territor”, u shpreh Haradinaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2