Pse nuk u shpall gjendja e emergjencës? Klosi: S’e vendos politika, por ekspertët

Blendi Klosi, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00, nga ku foli për situatën e krijuar në vend pas tërmetit të fuqishëm të ditës së shtunë. Klosi sqaroi edhe pse nuk u shpall gjendja e emergjencës civile.

Ai bëri thirrje gjithashtu për qetësi, pasi situata është drejt qetësimit dhe tashmë e keqa ka kaluar.

“Dita e parë ishte shumë e rëndësishme për të qetësuar qytetarët. Ndërsa sot unë isha në zonën e Shijakut, e cila edhe pse nuk u raportua si problematike, ka një numër të konsiderueshëm banesash që janë bërë të pajetueshme. Le të shpresojmë që të mos ketë një shi të madh pasi do të kthehej në një tragjedi për ato familje. Është shumë e rëndësishme që t’u bëjmë thirrje kryetarëve të njësive, kryetarëve të bashkive, vetë qytetarëve, që të orientohen drejt qendrave të grumbullimit. Fillimi i shirave do të jetë shumë i vështirë për ato familje”.

Ai ishte e përgatitur qeveria për këtë situatë?

“Tërmeti është një gjë që nuk parashikohet. Ajo që ishte e rëndësishme është që të kuptohej që 48 pas tërmetit, i gjithë sistemi i emergjencave ka qenë në funksionim. Ka një moment të parë të përllogaritjes së dëmeve financiare. Së pari, qytetarët duhet të jenë shumë më tepër solidarë. Duhet të fillojmë të ruhemi edhe nga spekullatorët. Fatmirësisht, provuam që sistemi i menaxhimit të krizave i dëmeve katastrofike është në këmbë dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë. Ajo që na takon tani është të sqarojmë njerëzit se kjo është një situatë që ka kaluar”.

Tone kritike nga kryeministri…

“Toni kritik është për të mirë dhe ishte për të shtuar kontaktet. Ishte dita e parë dhe ishte e rëndësishme. Ishte dhe një nxitje për pushtetarët lokalë që të bënin evidentimin e dëmeve. Nga nesër do të fillojnë edhe rehabilitimet edhe për të hequr atë frikën. Dje në ishim të shoqëruar nga ekspertë për të kontaktuar me njerëzit dhe për të evidentuar problemet.

Mbyllja e shkollave

“Nuk kishte shkolla që ishin dëmtuar, por pjesa psikologjike. Fëmijët do të ndjehen nga nesër shumë më të mirëpranuar nga mësuesit. Ata u traumatizuan nga tërmeti dhe do të jetë një memorie që do t’u ngelet në vite”.

Pse nuk u shpall gjendja e emergjencës?

“Nuk ka pasur asnjë arsye për t’u shpallur gjendja e emergjencës civile, pasi gjendja e parë kaloi dhe sistemi i menaxhimit arriti të funksiononte. Kjo nuk është një vendimmarrje politike, por nga ekspertët e fushës. Është një moment që nuk vendoset nga politikanët, por nga ekspertët. Këtu nuk ka politik, por një situatë që ka të bëjë me jetën e njerëzve”.

Shkarkoni aplikacionin e A2