Publikuan lajmin për tërmet, shoqërohen dy gazetarë

Policia e Tiranës ka shoqëruar dy gazetarë, të cilët, sipas saj, kanë publikuar lajmin e rremë se në orën 23:30 të së dielës një tjetër tërmet do të godiste Shqipërinë.

Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët.

Policia e Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët.

Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj me një postim në Twitter. “Ata që në vend të solidaritetit njerëzor zgjodhën të nxisin tinëzisht dhe djallëzisht panikun, duke kontribuar kështu për të favorizuar gjithë llojet e krimit, do të përballen me ligjin. Policia ka kryer ndërkohë veprimet e para”, shkroi Lleshaj.

Ndërsa në një reagim postuar në portalin syri.net, ky veprim i Policisë u konsiderua përpjekje për të mbyllur fjalën e lirë.

Shkarkoni aplikacionin e A2