Stina e re politike, Hajdari: Marrëveshja me Ramën, fundi politik i Bashës

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, ishte e ftuar në “Dita Jonë” ku foli për reformën zgjedhore dhe situatën politike. Ajo theksoi se reforma zgjedhore tashmë është futur në shina dhe duhet çuar sa më parë përpara.

“Reforma zgjedhore është futur në shina dhe tani duhet ta çojmë përpara. Shqiptarët duhet të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët që ndjehen të përfaqësuar. Strukturat aktuale nuk e lejojnë qytetarin të votojë kandidatin e duhur. Lista është e mbyllur. Reforma zgjedhore kërkon shumë ndryshim, të ligjit të Kushtetutës. Ka shumë punë, por tashmë është në shina. Në fillim ishin skeptik për reformën, por tashmë retorika është ndryshe”.

Teksa u pyet për një marrëveshje të mundshme mes Ramës dhe Bashës, Hajdari theksoi se kjo do të ishte fundi politik për kreun e PD.

“Partitë jashtë Parlamentit duhet të jenë koshiente për gabimin që kanë bërë dhe të pranojnë opozitën brenda parlamentit për të ecur përpara. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u dhënë zgjidhje gjërave që u interesojnë shqiptarëve. Një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës do të ishte fundi për kreun e PD pasi ai ka bërë disa premtime dhe të mos i plotësosh ato është e gabuar. Një marrëveshje do t’i kthehet në bumerang zotit Basha, do t’i ketë demokratët kundër”, u shpreh Rudina Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2