Të martën zhvillohet normalisht procesi mësimor, Shahini: Nuk do të hapen vetëm dy shkolla

Në një deklaratë për mediat këtë të hënë, ministrja e Arsimit, Besa Shahini njoftoi se ditën e martë do të nisë normalisht procesi mësimor në të gjithë vendin.

“Ashtu siç e raportuam edhe mbrëmjen e djeshme, dita e sotme ishte ditë pushimi për nxënësit e arsimit parauniversitar në Qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit – ndërkohë ditën e nesërme fillon normalisht procesi mësimor”, tha Shahini.

Ministrja theksoi më tej se e hënë që u bë pushim do të zëvendësohet në të ardhmen me një ditë tjetër. Për datën se kur do të bëhet zëvendësimi, vendosin zyrat arsimore në vijim.

Besa Shahini konfirmoi se të gjitha godinat e shkollave në vend janë kryesisht të padëmtuara dhe plotësisht të gatshme për mësim. “Janë vetëm dy objekte shkollore – të dyja shkolla vartëse në fshatra – një në Berxullë (Vorë) dhe tjetra në Allgjatë (Tiranë) – të cilat ditën e nesërme nuk do të hapen për efekt sigurie, por nxënësve të këtyre dy shkollave i kemi siguruar transportin për në shkollat qendër ku do ta vazhdojnë mësimin nga nesër e tutje. Ndërsa 98 shkollat e tjera të cilat kanë pësuar dëmtime të lehta me plasaritje të vogla në fasadat e mureve, janë rregulluar që ditën e diel nga ekipet e bashkive dhe ditën e nesërme riçelin dyert për mësim”, tha Shahini.

Shkarkoni aplikacionin e A2