Balta pushton banesat në Shkozë, niveli i ujit arrin deri në 40 cm

Reshjet e dendura të shiut të një nate më parë kanë shkaktuar përmbytje në disa zona periferike në kryeqytet. Në Shkozë, në afërsi të urës, janë disa shtëpi të cilat janë të pabanueshme. Në banesën e familjes Tare, pas shiut, balta ka pushtuar shtëpinë, ndërsa problem shqetësues ka qenë edhe përhapja e ujërave të zeza.

Uji ka arritur në një nivel deri në 40 cm dhe bllokimi i rrjetit të kanalizimeve e ka bërë edhe më të vështirë situatën. Disa prej pjesëtarëve të familjes janë larguar për tek të afërmit.

Sipas njërit prej tyre, djalit të vogël të shtëpisë, uji ka vërshuar në banesë rreth orës 4 të mëngjesit, kur të gjithë kanë qenë në gjumë. Fatmirësisht, sipas dëshmisë së tij, kryefamiljari është zgjuar dhe ka njoftuar pjesëtarët e tjerë të cilët kanë dalë nga banesa.

Në zonë kanë mbërritur përfaqësues të Bashkisë dhe të Emergjencave Civile, të cilat do të bëjnë vlerësimin e situatës dhe pritet t’u ofrojnë strehim të përkohshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2