Basha: Shtimi i kushteve reflekton dështimin e qeverisë

Kreu i Partisë Demokratike reagoi pasi grupi parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke autorizuar qeverinë federale ta mbështesë Tiranën në mbledhjen e Këshillit Europian tetorin e ardhshëm. Por, qëndrimi i tyre, dakortësuar edhe me SPD, ka një seri konstatimesh dhe kushtesh, që Shqipëria duhet të plotësojë më pas.

“Partitë qeverisëse në Bundestag kanë miratuar sot 9 kushte për t’u plotësuar që Shqipërisë t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE. Ju shpreh mirënjohjen ligjvënësve gjermanë dhe në veçanti partive tona simotra CDU-CSU, të cilat rikonfirmuan vullnetin e tyre për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Shtimi i kushteve dhe kërkesa për zgjidhjen e krizës politike shprehin shqetësimin e sinqertë për hapat mbrapa që Shqipëria ka shënuar që nga qershori 2018”, shprehet Basha me anë të një postimi në Facebook.

“Këto kushte dhe kërkesa reflektojnë dështimet e qeverisë dhe jo të popullit shqiptar. Në veçanti kërkesat e reja për arrestimin dhe procedimin penal të personave të përfshirë në blerjen e votave dhe kërkesa për të vendosur mbi legjitimitetin e procesit farsë të 30 qershorit reflektojnë qartë se dështimi dhe përgjegjësia për moshapjen e negociatave është e Edi Ramës dhe askujt tjetër. Vendimi i CDU/CSU dhe SPD për hapjen me kushte të negociatave e ndihmon Shqipërinë për të kapërcyer krizën e rëndë politike, për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për një drejtësi të pavarur që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Në emër të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar, garantoj të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë se do të bëjmë gjithçka që vendit tonë t’i hapen negociatat sa më parë”, shton Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2