Hapja e negociatave, CDU/CSU voton pro. Më pas ka kushte

Grupi parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke autorizuar qeverinë federale ta mbështesë Tiranën në mbledhjen e Këshillit Europian tetorin e ardhshëm.

Por, qëndrimi i tyre, dakortësuar edhe me SPD, ka një seri konstatimesh dhe kushtesh, që Shqipëria duhet të plotësojë më pas. A2 disponon dokumentin e hartuar, ku mes të tjerash kërkohet zgjidhja e krizës politike.

“Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që menjëherë të bëjnë çdo përpjekje për të kapërcyer sa më shpejt këtë krizë përmes dialogut politik, sepse përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të bëhet në mënyrë të konsiderueshme më e vështirë”, lexohet në dokument.

Në këtë kontekst kërkohet që të sqarohet menjëherë legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit: “Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ishin kryesisht paqësore; megjithatë mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve”.

Parlamentarët gjermanë vërejnë gjithashtu mungesën e dënimeve përsa i përket krimeve zgjedhore: “Prokuroria ka ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje votash; megjithatë, deri  tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt, sapo të vërtetohet një dyshim për veprën”.

Dokumenti i hartuar nga CDU/CSU si dhe SPD nuk përcakton një datë konkrete për konferencën e parë të anëtarësimit dhe këtu fillojnë kushtet, që nisin me vënien në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, për të vijuar me reformën zgjedhore.

“Të merret vendim për Reformën Zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE / ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5.9.2019”, thuhet në dokument.

Kushtet shtohen për mbajtjen e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapjen e kapitujeve të parë të negociatave, ku kërkohet: “Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar; Fillimi i procedimeve  penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme; Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore  kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve; Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj  për të punuar”.

Bundestagu i kërkon Qeverisë gjermane që hapja e kapitujve të nisë me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të tjerë duhet të varen nga përparimi thelbësor në këto fusha, thekson dokumenti.

Shkarkoni aplikacionin e A2