Dashamir Shehi: Opozita, paqe të përkohshme, presim 18 tetorin

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00 nga ku u shpreh se opozita ka bërë një paqe të përkohshme duke mos dalë në protesta, në pritje të vendimit për negociatat.

Ai, gjithashtu, foli edhe për platformën e aleatëve të PD, e cila i është propozuar liderit të opozitës. Shehi theksoi se kjo “platformë” synon rivlerësimin e PD.

“Kjo është një mënyrë për të rregulluar marrëdhëniet tona të brendshme, për të zgjeruar bazën opozitare, përfshirë të gjithë faktorët që kanë luajtur një rol në këto vite. Ky është një document politik dhe nuk mund ta quajmë platformë.

Një kornizë për të korrigjuar sjelljen e PD?

“Halli jonë nuk është të bëjmë më të vogël PD-në. Historia ka bërë të sajën, PD është forca më e madhe. Ne duan ta rivlerësojmë PD-në, të marrë të gjithë udhëheqjen e opozitës. Kjo nuk është një listë që e nxjerrim nga dollapi. Ne na duhen sot luftëtarët që luftojnë sot”.

Ja pse nuk proteston opozita…

“Pozicioni opozitar është shfrytëzuar mëse një herë për t’u justifikuar para shqiptarëve. Ja ku e keni vendin, pa demonstrata. Është një logjikë normale nga të qenit perëndimorë. Më perëndimorë se qendra e djathtë këtu nuk ka. Aleati strategjik i palëvizshëm i perëndimit i SHBA është qendra e djathtë. Përpara interesave tonë është ai Europian. Kemi kohë sa të duash për t’i filluar demonstratat. Në njëfarë mënyrë, po bëjmë një paqe të përkohshme. Kemi vite që ëndërrojmë Europën dhe janë bërë vite me këtë në pushtet që e shtyn Shqipërinë drejt Rusisë, drejt Turqisë, drejt Kinës. Kush është kaq i ethshëm për demonstrata, të jeni të sigurtë që punë javësh është”.

Por çfarë do të ndodhë më 18 tetor?

“Unë uroj që të jetë një përgjigje pozitive për Shqipërinë, edhe me koston e këtij që kemi në krye. Po të ishim në Europë, ky regjim që është instaluar në Tiranë nuk mund të bënte këto grabitje. Do të ishin brenda Europës dhe do të vëzhgoheshim si gjysmë Europian”.

A i meritojmë negociatat?

“Nëse flasim për inkurajim, po. Nëse do të flisnim për meritë, atëherë me këtë sjellje nuk ka gjë fare europiane. Kjo është një bandë që mund të ishte në Nikaragua, Kongo. Mesa duket pa kushte nuk do të hapet. Unë uroj që të na i hapnin pa kushte. Uroj që të jemi me një linjë me Maqedoninë, pasi në të kundërt do të ishim me një marsh tjetër. Të ndryshëm do të jetë një hall i madh për Shqipërinë që do të vijë mbrapa. Do të duhet një luftë e madhe për ta ringritur imazhin e vendit”.

A do të ulet opozita në tryezën zgjedhore?

“Këtë do ta gjykojmë sot. Në orën 14:00 kemi një mbledhje me Bashën dhe do të merret një vendim”.

Shkarkoni aplikacionin e A2