Europa mbështet SHBA: Sulmi ndaj rafinerive saudite u krye nga Irani

Britania, Gjermania dhe Franca mbështetën Shtetet e Bashkuara dhe fajësuan Iranin për sulmet kundër rafinerisë saudite.

Fuqitë europiane i bënë thirrje Teheranit të pranojë bisedime të reja lidhur me programin e tij bërthamor. Tre shtetet lëshuan një deklaratë të përbashkët pas takimit të kryeministrit britanik Boris Johnson, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron si pjesë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB.

“Është e qartë për ne se Irani ka përgjegjësi për sulmin. Nuk ka shpjegim tjetër të besueshëm. Ne po mbështesim hetimet që janë në zhvillim për të mësuar detaje të tjera”.

Tensionet u rritën ndjeshëm në 14 shtator pas një sulmi kundër cisternave saudite të naftës, për të cilat Rijadi dhe Uashingtoni fajësojnë Iranin. Teherani e mohon përgjegjësinë, dhe rebelet Huthi te Jemenit që kanë lidhje me Iranin, morën përsipër autorësinë. Por ndërsa Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i kërkojnë republikës islamike të pranojë negociatat jo vetëm për programin bërthamor, por edhe sigurinë rajonale, Teherani përjashton çdo mundësi për arritjen e një ujdie të re me fuqitë botërore.

Paraliza e Europës në përmbushjen e detyrimeve si pjese e paktit bërthamor është e qartë që nga maji i 2018-tes. Asnjë marrëveshje të re nuk do të ketë para se të konkretizohet ujdia aktuale. Donald Trump u duk sikur flirtoi me presidentin Iranian Hasan Ruhani gjatë asamblesë në Nju Jork, por shanset për t’u takuar duken të vogla.

Shkarkoni aplikacionin e A2