Fjalimi në OKB, Trump sulmon Kinën për tregtinë dhe Hong Kongun

Donald Trump përballë liderëve nga e gjithë bota. Presidenti amerikan nisi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duke sulmuar Kinën. Konkretisht, Trump u ndalua tek protestat masive në Hong Kong duke kritikuar Pekinin për ndikimin e tij, ndërsa fokusi kryesor ishte në fushën e tregtisë.

 “Jo vetëm që Kina nuk ka pranuar të miratojë reformat e premtuara, ajo ka përqafuar një model ekonomik, të varur nga pengesat masive tregtare, subvencionet e rënda të shtetit, manipulimi i valutave, hedhja e produkteve, transferimet e detyruara të teknologjisë dhe vjedhjet e pronës intelektuale e sekreteve tregtare në një shkallë të madhe”, deklaroi presidenti amerikan.

Sulme të ashpra pati edhe ndaj Iranit, duke kërkuar që ky shtet të mos posedojë kurrë një armë bërthamore. Gjithashtu premtoi ashpërsim të sanksioneve.

“Të gjitha kombet kanë për detyrë të veprojnë. Asnjë qeveri përgjegjëse nuk duhet të mbështesë dëshirën e Iranit për gjakderdhje. Për sa kohë që sjellja e rrezikshme e Iranit vazhdon, sanksionet nuk do të hiqen, por do të forcohen”, vijoi Trump.

Ndër të tjera, Trump foli edhe për marrëdhënien e tij me Kim Jong Un, duke u shprehur optimist për një përfundim të mirë të negociatave për programin bërthamor të Koresë së Veriut. Presidenti amerikan gjatë fjalimit të tij kritikoi qeverinë e Venezuelës, kërkoi respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT dhe u shpreh kundër politikave të globalizmit.

Shkarkoni aplikacionin e A2