Negociatat, Bardhi: Rama gënjen shqiptarët për të tretën herë radhazi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se kryeministri “Edi Rama gënjen shqiptarët për të tretën herë radhazi për negociatat”.

“Bundestagu ka shprehur vullnetin e ditur prej kohësh për t’i hapur negociatat me Shqipërinë, por nuk ka autorizuar qeverinë gjermane të përcaktojë një datë për nisjen e tyre, siç ka bërë me Maqedoninë e Veriut. Shqipëria duhet të plotësojë 9 kushte, në mënyrë që të nisë realisht bisedimet e anëtarësimit për në Bashkimin e Europian. Çdo gjë tjetër që u thuhet shqiptarëve nga Edi Rama, Taulant Balla dhe klonë të tjerë të Ramës është gënjeshtër, është mashtrim, është propaganda”, shkruan Bardhi në Facebook.

“Mashtrimet e Edi Ramës nuk i hapin dot negociatat! Europa na pranon me strandarde dhe jo me propagandë e mashtrime! Lajmi i vërtetë i mirë nga Bundestagu është se ai njeh krizën e rëndë në Shqipëri dhe kërkon zgjidhjen e saj për të mos dëmtuar negociatat. Lajmi i vërtetë i mirë është që Bundestagu kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, kërkon ndëshkimin e atyre që vodhën zgjedhjet dhe kërkon vendim urgjent nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë ose jo të 30 Qershorit”, shton Bardhi në postimin e tij.

Bardhi thekson gjithashtu se lajm tjetër vërtetë i mirë “është që Bundestagu kërkon një sistem drejtësie të pavarur dhe funksional, në mënyrë që të nisin negociatat”.

“Kërkon ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës se Lartë, SPAK-ut, që të futen në burg zyrtarët e lartë dhe politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Sot nga Bundestagu kishte 9 lajme të mira, të cilat janë rruga e vetme që i hapin Shqipërisë negociatat në të ardhmen. Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa. Edi Rama dhe krimi i organizuar që qeverisë me të, nuk mund ta marrin peng Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane”, shprehet Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2