Negociatat, Krasniqi: Vendimmarrje e nivelit të lartë, “Po”, por…

I ftuar në Ditarin e orës 13:00, Afrim Krasniqi, kreu i Institutit të Studimeve Politike dhe analist i A2, foli për reformën zgjedhore, atë në drejtësi, por edhe negociatat.

Për Krasniqin do të ketë një vendim të nivelit të lartë dhe Shqipëria do të marrë një “Po” me kushte.

Reforma zgjedhore, pikënisja për të dalë nga situata?

“Ka javë që nuk po ndodh asgjë në politik dhe palët po mundohen të gjejnë një mekanizëm për t’u rikthyer në politik dhe për të filluar dialogun. Kjo që është një nismë e OSBE është edhe një përpjekje e ndërkombëtarëve deri diku për t’i thënë palëve që nëse doni dialog, ka mundësi për dialog. Nuk është një tryezë që mund të zgjidhë probleme, por është një tryezë që mund të diskutojë probleme. Në raport me deklaratat e PD është pak e habitshme se si partitë aleate u dashka një vit për të bindur PD-në se cila është platforma zgjedhore. Nesër presin për të pasur dialog mes mazhorancës dhe opozitës dhe jo për të pasur dialog mes 4-5 kryetarëve të partive dhe Bashës. Është lajm i mirë që e kanë kuptuar të gjitha palët që duhet të ketë dialog. Nuk besoj se aleatët kanë ndonjë peshë të madhe në pjesëmarrjen e PD-së. Më shumë është një akt politik. Nëse do të ketë marrëveshje mes partive të mëdha nuk presim që të ketë përfaqësim nga këto parti. Nëse nuk ka kompromis ne e pamë se ku shkon Shqipëria”.

Reformimi i sistemit të drejtësisë

“Kanë ndodhur dy zhvillime dhe në lidhje me reformën zgjedhore dhe me atë në drejtësi. Nëse për atë në drejtësi sot diskutojmë për afate, klauzola, kjo do të thotë se e shohim reformën që po funksionon dhe po e matim produktin nëse është ai që kemi pritur. Te rasti i reformës zgjedhore po ndodh një paradoks. Të gjithë merren me sistemin, merren me teknikalitete dhe nuk merret askush me ndryshimin e thelbit të ndryshimit politik në Shqipëri. Thelbi i ndryshimit politik është reformimi i partive politike. Për sa kohë nuk kemi parti reale politike,çfarë vlera ka nëse e reformojmë këtë sistem me këto parti. E habitshme që për këtë nuk flet askush. Askush nuk është i gatshëm të paguajë një çmim. Në vitet ’90 ne kemi qenë të varfër, por kemi pasur parti politike, kemi pasur debate, kemi pasur konkurrencë, demokraci të brendshme, ndërsa sot nuk ka demokraci të brendshme. Dhe ky duhet të ishte debati kryesor”.

Kërkesat e reja nga Bundestagu në këmbim të negociatave, vendet skeptike…

“Kam përshtypjen që është një vendim gjeo-politik, i cili i ka injoruar zhvillimet politike në Shqipëri. Ky është një lajm i mirë për shqiptarët, pasi na hapen negociatat politikanët do të jenë dyfish të monitoruar. Duhet të presim vendimin përfundimtar, i cili sipas meje, mund të na kufizojë vetëm në dy kapituj, me kapitujt kryesorë që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Nëse ka kushtëzim në këtë pikë, sërish do të jetë lajm i mirë për shqiptarët pasi do t’i detyrojë të vihen në presion ndërkombëtar. Sa i përket vendeve skeptike, më shumë janë debate diplomatike sesa janë parakushte për Shqipërinë. Në dijeninë time, ka një vendimmarrje të nivelit të lartë dhe debati ka qenë i tillë – nuk po ju vlerësojmë si Shqipëri, kështu që mos bëni lobin, por do të merret një vendim në nivelin e lartë. Siç duket përgjigja do të jetë, Po, por… Duhet të kemi parasysh që kur themi se qeveri të caktuara kanë shprehur rezerva, ne nuk duhet t’i shohim në mënyrë armiqësore ato qëndrime. Kur ne e themi që të gjithë politikanët tanë janë të korruptuar, kur na e thotë Berlini apo Parisi pse duhet të habitemi”.

“Drejtësia, sistemi aktual ka dështuar të sjellë profesionistë”

“Është e domosdoshme dhe është interesante që ne e bëjmë me nismën tonë, por asnjë donator nuk i gatshëm të bëjë gjëra të tilla. Arsyeja është e thjeshtë, jo se lidhet me shoqërinë civile, por për shkak se nuk duan të gjejnë problematika në reformën në drejtësi. Nëse ne kemi larguar një anëtar të Gjykatës Kushtetuese që ka pasur një problem në deklarim, por që ka bërë 30 libra dhe ka bërë 500 vendime në Gjykatën Kushtetuese, por me kë e zëvendësojmë atë sot. Ne nuk mund ta zëvendësojmë me një individ që nuk di të bëjë vendime. Ne nuk kemi nevojë vetëm për njerëz që i kanë letrat në rregull. Ne kemi nevojë për profesionist. Është e vështirë që këta dy komponentë të bëhen së bashku”.

Shkarkoni aplikacionin e A2