PD mbledh aleatët, pritet vendimi për pjesëmarrje në tryezën e reformës zgjedhore

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur takimin me aleatët në prag të takimit të programuar me ambasadorin e OSBE, Bernd Borschard. Në takim do të diskutohet mundësia e pjesëmarrjes në tryezën për reformën zgjedhore, bërë nga OSBE, por edhe ftesa e Kryeministrit Edi Rama.

Në selinë e PD kanë mbërritur të gjithë krerët e partive opozitare, ndërsa për herë të parë janë ulur në një tryezë Shpëtim Idrizi i PDIU dhe Vangjel Dule nga PBDNJ. Aleatët e PD kanë dhënë sinjale se kanë interes të jenë në tryezë.

Kur ftesat u shpërndanë, Lulzim Basha tha se thirrja e kryeministrit për t’u ulur në negociata nuk mjafton. “Kriza nuk zgjidhet me tryezën e radhës”, u shpreh Basha, ndërkohë demokratëve nuk ju mjaftoi as gatishmëria e Damian Gjiknurit për dorëheqje nga bashkëkryesimi i komisionit për reformën zgjedhore, në mënyrë që opozita të bëhet pjesë e saj. “Gjiknuri duhet të jetë në burg”, thanë demokratët.

Reforma zgjedhore dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira, vetëm me një kuadër të ri ligjor duket të jetë një ndër kushtet e forta për negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa vijon të mbetet një apel i qartë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkoni aplikacionin e A2