Plotësimi i Kushtetueses, 4 emrat e rinj “peng” të mirëkoordinimit Parlament-Presidencë

Fundi i shtatorit e gjen Gjykatën Kushtetuese më pranë plotësimit me 4 anëtarë të rinj, por ende larg nga dita e funksionimit normal të saj.

Institucioni më i lartë gjyqësor në vend, që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese, ka pushuar së funksionuari që në mars 2018.

Pasi i kaloi në filtra verifikues të figurës dhe profesionalizmit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur renditjen përfundimtare të gjashtë kandidatëve që synojnë 4 vende të saj. Dy prej tyre do të përzgjidhen nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi.

Burime pranë KED thanë për A2 se pas miratimit të listave, po përgatitet dokumentacioni i nevojshëm shoqërues dhe se në ditët në vijim ato do t’i përcillen këtyre dy institucioneve përzgjedhëse.

Sipas ligjit, Presidenti duhet të zgjedhë anëtarin në një nga tre emrat e parë të listës. Ndërsa për Kuvendi e zgjedh anëtarin e tij me 3/5 e votave. Nëse bëjnë zgjedhje brenda një afati 30 ditor, atëherë kandidati i parë në listë konsiderohet i emëruar. Por situata nuk është e thjeshtë.

Disa prej kandidatëve, kanë shprehur interes edhe për vakancat e Presidentit dhe të Parlamentit. Kjo do të thotë që dy institucionet duhet të koordinohen për të mos zgjedhur të njëjtët emra. Në të kundërt, procedura e përzgjedhjes duhet të nisë nga e para, që përkthehet në disa muaj të tjerë vonesë.

Nga ana tjetër, edhe 4 emra të rinj, nuk e nxjerrin nga ngërçi Kushtetuesen. Aktualisht ajo ka vetëm një anëtar, ndërsa numri minimal i nevojshëm për funksionimin e saj është 6 anëtarë. Ndërkohë KED po vazhdon procedurën e verifikimit për kandidaturat e paraqitura për dy vakanca të tjera, një e Presidentit dhe një e Kuvendit.

Shkarkoni aplikacionin e A2