Kështu do të jetë Liga e re e Kombeve: 16 ekipe në kategorinë e parë

Vetëm një vit zgjati Liga e Kombeve me formatin e saj të parë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, i mbledhur të martën në Ljubjanë, vendosi që ta ndryshonte formatin e turneut për edicionin 2020/2021.

Në formatin e ri, divizionet A, B dhe C do të kenë nga 16 skuadra të ndara në 4 grupe, ndërsa divizioni D do të ketë 7 skuadra.

Kështu, në divizionin A do të luajnë Portugalia, Spanja, Holanda, Anglia, Zvicra, Belgjika, Italia, Bosnje-Hercegovina, Franca, Ukraina, Suedia, Polonia, Kroacia, Danimarka, Islanda dhe Gjermania, e cila shpëton nga rënia e një kategorie më poshtë pikërisht nga ndryshimi i formatit.

Ashtu si në edicionin e fundit, kampionët e secilit grup klasifikohen për fazën finale që do të luhet në qershor 2021; ndërsa të fundit e çdo grupi do të zbresin në divizionin B.

Shqipëria do të luajë në divizionin C, aty ku janë edhe Kosova, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bjellorusia, Gjeorgjia, Qipro, Estonia, Sllovenia, Lituania, Luksemburgu, Azerbajxhani, Armenia, Kazakistani dhe Moldavia.

Shorti për ndarjen e grupeve do të mbahet në Amsterdam, në 3 mars 2020.

Shkarkoni aplikacionin e A2