Konferenca për reformën zgjedhore, Ambasada e SHBA: Përshëndesim opozitën për pjesëmarrjen

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për pjesëmarrjen e opozitës në konferencën për reformën zgjedhore që ka nisur këtë të mërkurë.

Ambasada përshëndet Bashën, ndërsa më tej thuhet se populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votës. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA.

Shkarkoni aplikacionin e A2