Mesazhi i Bashës për Ramën: Ktheju mandatin qytetarëve, të vendosin ata kush do t’i qeverisë

“Ky është momenti t’u kthejë mandatin qytetarëve, që të vendosin qytetarët se kush do t’i qeverisë”, kështu është shprehur kreu demokrat Lulzim Basha në bashkëbisedimin e së mërkurës me gazetarët kur ka folur për negociatat.

“Nën udhëheqjen e duhur dhe me një plan konkret ne do t’i përmbushim kërkesat e Europës dhe do të lëvizim shpejt drejt anëtarësimit në BE. Tani është momenti që siç e ka kuptuar çdo shqiptar, siç e ka kuptuar edh PS, edhe Edi Rama të kuptojë se është ai që e mban peng vendin. Se ky dështim është vetëm dështim i tij. Të vendosin qytetarët, nëse do t’i besojnë atij një mandat të tretë apo jo, apo do të mbështesin opozitën me alternativën e daljes nga kriza e thellë sociale, ekonomike dhe politike, alternativën e Shqipërisë si gjithë Europa, që është PD dhe opozita e Bashkuar. Për hir të qytetarëve shqiptarë, për hir të fëmijëve, të të rinjve dhe të moshuarve, është koha që një herë në jetën e tij Edi Rama të vendosë fatin e Shqipërisë të parin dhe jo fatin e tij personal me të cilin ka mbajtur peng Shqipërinë gjatë këtyre 6 viteve”, tha Basha.

Për kreun demokrat Shqipëria nuk duhet të mbesë pas Maqedonisë në rrugën drejt Europës.

“Na ka futur në marsh indietro dhe as nuk ka idenë si dilet prej kësaj situate. Është e qartë se atë që nuk arrin ta bëjë dot në mandate, nuk do të arrijë ta bëjë më kurrë. Por të shohim rreth e qark, Mali i Zi dhe Serbia I kanë hapur negociatat, Maqedonia po e bën tani. Të gjithë janë në rrugën drejt Europës. E vetmja gjë që na ndan ne nga këto vende janë drejtuesit e vendit, është drejtuesi i qeverisë. Nuk ka pse të jetë kështu. Shqipëria është një vend që nuk i mungon asgjë në raport me fqinjët tanë, një vend tek i cili duhet të kemi besim të plotë si shqiptarë dhe si patriotë. Ky është vendi që me drejtimin e duhur u bë anëtar i NATO-s, realizoi lëvizjen e lirë pa viza dhe bëri hapa para me negociatat. Është një popull punëtor e i talentuar, i cili në kushte mundësish dhe lirie ia del të ndërtojë mrekulli”, ka thënë Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2