Po me kushte, Çeku: Është një po për Shqipërinë dhe jo për qeverinë

Arben Çeku, analist për çështjet e integrimit dhe rajonit, deklaroi në studion e Ditari në A2 se “qeveria akoma nuk e ka lexuar mirë rekomandimin gjerman dhe nuk duhej që Damian Gjiknuri, një nga të akuzuarit për çështjen e votave në Dibër të qëndrojë në tryezën e Reformës Zgjedhore si një pengesë për dialogun”.

Sipas Çekut, PO-ja me kushte e CDU/CSU “është një po për Shqipërinë dhe jo për qeverinë” sepse “vendosja e kaq shumë kushteve që duhet t’i plotësojë kjo mazhorancë tregon se ka një skepticizëm të madh dhe janë bërë hapa prapa”.

“Megjithatë, është një lajm çlirues për mazhorancën, pasi është edhe një vlerësim për përpjekjet që janë bërë deri tani, por detyrat që ka përpara janë shumë të vështira për t’u plotësuar”, shtoi Çeku.

Në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit, Çeku shpjegon: “Në këndvështrimin e gjermanëve shihet që Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim të qartë mbi legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve. Me këtë qëndrim të Gjermanisë duket sikur janë të gjithë fitues. Qeveria ka marrë përgjigjen e saj pozitive, nga ana tjetër opozita shikon te kushtet të gjitha qëndrimet që ajo ka mbajtur në raport me defektet që janë vënë re”.

Arben Çeku theksoi se “Shqipëria do të ketë një vonesë për kapitullin 23 dhe 24”.

“Për qeverinë e rëndësishme është që të ulet së paku një herë me përfaqësuesit e BE-së, por integrimi do të marrë shumë kohë”, u shpreh Çeku.

Shkarkoni aplikacionin e A2