Po me kushte, Hyseni: Opozita e lexoi dokumentin si lajmin e tërmetit të parashikuar

Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste, deklaroi në studion e Ditari në A2 se “opozita ka bërë çdo gjë për të penguar hapjen e negociatave”, por shtoi se mazhoranca është e kënaqur që deri më sot “i ka bërë detyrat e shtëpisë”.

“Opozita ka bërë çdo gjë për të penguar hapjen e negociatave. Ata lobuan në kancelaritë kryesore për pengimin. Jemi të kënaqur që kemi bërë deri sot detyrat e shtëpisë. Tani e tutje ka vetëm fazë detyrash shtëpie. Më parë ishin detyra politike, tani janë detyra teknike”, tha Hyseni.

Kur u pyet mbi interpretimin e opozitës për PO-në me kushte, Hyseni tha: “Opozita mund ta lexojë dokumentin edhe si lajmin e tërmetit të parashikuar. Shqipërisë do t’i hapet dera për negociatat pas përpjekjes së madhe që ka bërë qeveria dhe pas përpjekjes negative të shumë faktorëve të tjerë politikë. Janë 27 kapituj që do ta detyrojnë qeverinë të punojë fort për të plotësuar detyrat e shtëpisë”.

Hyseni shtoi se “30 qershori nuk ka lidhje fare, atë e përcaktuan shqiptarët me masivitetin e votimit dhe kush ka rezervë, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese kur të formohet”.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, deputeti socialist nënvizoi se “është domosdoshmëri e lidhur ngushtë me procesin e integrimit të Shqipërisë me BE”.

Sipas tij, “dialogu bëhet pa kushte”.

“Të gjithë së bashku të dialogojmë për rregullat e lojës në këtë sistem demokratik. Ata duhet të kuptojnë një gjë: çdo gjë që diskutohet dhe vendoset në atë tryezë, nëse nuk do të marrë formën e duhur nëpërmjet Parlamentit, nuk ka asnjë vlerë. Pa u kthyer në ligj, nuk vlen asnjë debat dhe draft nëse nuk kthehet në ligj përfundimtar”, shpjegoi Hyseni.

Shkarkoni aplikacionin e A2