Rama takon Vuçiçin, Presidenti serb: E ftova me 9-10 tetor për vizitë

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Serbinë më 9 dhe 10 tetor. Njoftimi erdhi nga Presidenti Aleksander Vuçiç, i cili bëri me dije se është takuar në Nju Jork me shefin e qeverisë shqiptare, në sajë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Bashkë me Ramën do të jetë dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Qëllimi i këtij organizimi nga Vuçiç është thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe heqja e pengesave tregtare: “Ne dëshirojmë që të lidhemi ekonomikisht dhe kështu të dalim përpara Bashkimit Europian dhe të tjerëve si një bllok i përbashkët”.

Vuçiç u takua në Nju Jork edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Presidenti serb nënvizoi se mori garanci nga Berlini dhe Parisi për intesifikimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për gjetjen e një zgjidhjeje. I pyetur lidhur me një takim të mundshëm me Presidentin e Kosovës, ai u shpreh se do të kishte ndodhur, nëse ftesa do i kishte ardhur nga Hashim Thaçi.

Ndonëse lëshoi dhe një provokim për të: “Sidoqoftë, Thaçi, njësoj si Vuk Jeremiç, vetëm ecën në korridorët e Nju Jorkut”.

Kësaj deklarate, Presidenti i Kosovës iu përgjigj duke publikuar një fotografi bashkë me kryeministrin Edi Rama me mbishkrimin: “Diku nëpër korridoret e OKB-së”.

Shkarkoni aplikacionin e A2