Reforma zgjedhore, PD propozon strukturë të re, tensionohet opozita parlamentare

Në cilësinë e teknicienit, Ivi Kaso, sekretari i PD-së për çështjet zgjedhore mbërriti ndër të parët në tryezën për ndryshimin e sistemit.

Madje dhe para bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm, Damian Gjiknuri, që pas shtrëngimit të duarve dhe buzëqeshjeve të fillimit i kujtoi burgun. “Një Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet te ishin ne burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e reformës zgjedhore”, deklaroi Kaso, që fliste i ulur pranë Gjiknurit.   

Mbasi bëri të qartë se opozita nuk njeh legjitimitetin e komisionit Hajdari-Gjiknuri, Kaso propozoi që reforma të kalojë në dorë të ndërkombëtarëve.

“Një strukturë e përberë nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, si OSBE, BE SHBA, një përfaqësues të parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i opozitës së bashkuar”, propozoi Kaso.  Sekretari i PD-së u largua, duke lenë pas tension mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Kjo e fundit në shenjë proteste braktisi përkohësisht mbledhjen.

Refuzimi i parë i formulës së PD-së erdhi nga vetë ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt i pyetur nga A2. “Nuk po e qeverisim ne këtë vend, nuk jemi ne të votuarit, ne sigurisht që e mbështesim këtë vend”, tha Borchardt.

Pasi mblodhi grupet parlamentare, opozita u rikthye, duke theksuar se nuk e braktis reformën. “Ishte shpërfillëse dhe e papranueshme”, deklaroi Rudina Hajdari.  

Por pavarësisht të gjithave, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, e quajti tryezën një sukses. “Unë e kuptoj tensionin që ka opozita parlamentare me atë jashtë parlamentare, janë çështje përtej mundësive të mija për t’i rregulluar, por për mua tryeza është sukses për sinjalin e parë të dialogut”, tha Gjiknuri, duke bërë bilancin e ditës së sotme.  

Shkarkoni aplikacionin e A2