Zgjedhjet në Kosovë, hapet zyrtarisht fushata elektorale

Partitë politikë nisën zyrtarisht fushatën dhjetë ditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, edhe pse fushat në terren ka nisur që para caktimit të datës muajin e kaluar.

Gjithsej 25 subjekte politike nga të cilat 20 parti dhe katër koalicione do të konkurrojnë me rreth 1070 kandidatë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa të regjistruar janë mbi një milion e 900 mijë votues. Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se janë duke bashkërenduar planet e veprimit për të siguruar një proces te qetë zgjedhor.

“Kërkojmë nga të gjithë bashkëpunim dhe të ketë raportim të rasteve eventuale që mund të paraqiten si gjatë fushatës ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve. Policia është e gatshme t’u përgjigjet gjitha situatave dhe e gatshme që të bashkëpunoj me gjithë aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor”, tha Afrim Ahmeti, drejtor i operacioneve në policinë e Kosovës.

Edhe prokurori e shtetit është e gatshme që te mbrojë të drejtën e votës, siç tha kryeprokuroja Laura Pula.

“Inkurajojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që në mënyrë permanente të paraqesin çdo rast apo informatë të cilat kanë të bëjnë me çështjen e manipulimit të votës nga se prokurori i shtetit si gjithnjë, ka krijuar praktikë tani të mirë të mbrojtjes së votës së qytetarëve, prandaj ne jemi këtu që dhe në këtë moment kemi rolin kryesor të mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve”. Bashkimi Europian ka filluar vendosjen e një misioni prej 100 vëzhguesish për zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa do të ketë edhe diplomatë të tjerë perëndimor, të akredituar  në Prishtinë. Zgjedhjet e 6 tetorit po shoqërohen edhe me thirrjet e organizatave vendase e ndërkombëtare që qytetarët e Kosovës të mos i votojnë kandidatët e partive politike që janë të akuzuar apo dyshuar për korrupsionin.

Shkarkoni aplikacionin e A2