Fituan 209 milionë euro në Itali, por shuma ende nuk tërhiqet

Në gusht, bëri bujë në Itali fitorja e çmimit më të madh në historinë e lotarive në vendin fqinj, plot 209 milionë euro.

Një shifër marramendëse, e fituar me një biletë që kushtonte 5 euro. Fitorja entuziazmoi qytetin verior të Lodi, ku ndodhi rasti fatlum, dhe nuk ishin pak ata banorë që shpresonin në ndonjë dhuratë të vogël edhe për to nga milioneri misterioz.

Vendi ku është blerë lotaria multimilionere, në Lodi të Italisë

Por më shumë se një muaj ka kaluar, dhe në zyrat e SISAL, shoqërisë që organizon lotarinë, nuk ka ardhur asnjë lajm nga personi fitues.  Ndërkohë që në ditët e para kjo ishte e kuptueshme, nga momenti që vëmendja e mediave dhe opinionit publik ishte ende e lartë, me kalimin e ditëve shtohen pikëpyetjet, dhe mundësitë që shuma mos të tërhiqet kurrë.

Nuk kanë munguar në historinë e lotarive fitues që kanë hedhur gabimisht biletën, e kanë humbur atë, madje edhe nga ata që kanë humbur jetën para tërheqjes.

Misteri nuk do të zgjasë ende shumë. I pasuri misterioz ka kohë deri më 17 dhjetor për të tërhequr shumën, përndryshe milionat do t’i kalojnë arkës së shtetit.  

Shkarkoni aplikacionin e A2