Parlamenti gjerman voton “pro” çeljes së negociatave me Shqipërinë

Me 395 vota pro dhe 188 kundër, Bundestagu gjerman votoi pro çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Për Maqedoninë e Veriut dhanë mbështetjen e tyre 465 deputetë. Të Gjelbrit, iu bashkëngjitën kërkesës së dy partive të koalicionit, CDU/CSU dhe SPD, megjithëse ishin kundër kushteve shtesë të Bundestagut për Shqipërinë.

Një kompromis ky, të cilin iu desh ta bënte më parë edhe partia socialdemokrate, në mënyrë që Shqipërisë t’i jepej dritë e gjelbër për negociatat. Debati që parapriu votimin ishte deri diku i qetë dhe u hap nga eksperti i Europës Lindore, Josip Juratoviç, nga SPD, i cili e vuri theksin kryesisht te përparimet që kanë bërë vendet në fjalë.

Ngjashëm argumentoi edhe Florian Hahn, zëdhënësi i grupit parlamentar  CDU/CSU për Europën. Pasi kujtoi Shqipërisë krizën e brendshme politike, korrupsionin, krimin e organizuar, por edhe idenë për Shqipërinë e Madhe”, ai diti t’i kthente këto mangësi në argumente pro çeljes së negociatave: “Çfarë të bëjmë, ta lëmë Shqipërinë vetëm? Do të humbim një rast historik, nëse i kthejmë shpinën Shqipërisë”, tha Florian Hahn, deputet gjerman.

Më e zjarrtë ishte fjala e deputetit të gjelbër, Manuel Sarrazin, i cili  u shpreh i indinjuar me atë që e quajti “arrogancë” të Bundestagut për vendosjen e kushteve të reja, përtej atyre që ka vendosur Komisioni i BE-së. Veç të tjerash, ai kritikoi edhe ndërhyrjet e disa deputetëve në krizën e brendshme në vend, si ndërhyrje në politikën e brendshme të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Peter Beyer, nga CDU, lëshoi kritika ndaj Shqipërisë, duke ju referuar vendimit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri ai u shpreh: “Nuk gënjehemi me këto dhe kërkojmë dënime zyrtarësh të lartë”, tha Peter Beyer.

Votimi në Bundestag , pas dritës jeshile pro hapjes së negociatave nga grupi parlamentar CDU/CSU. Por po –ja për Shqipërinë u shoqërua me 9 kushte, të ndara në dy blloqe. Prioritare janë reforma zgjedhore, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ndërsa pikat e tjera hyjnë në bllokun e dytë të cilat duhet të plotësohen kur të hapen negociatat. Vendimi përfundimtar për dy vendet pritet të merret në tetor në Këshillin Europian, nëse të gjitha vendet, me theks të veçantë Franca dhe Holanda do të bien dakord. 

Shkarkoni aplikacionin e A2