Ringritja e Gjykatës së Lartë, 6 kandidatë për vendin e ish-kryetarit Zaganjori

Thirrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor drejt juristëve të spikatur për të kandiduar për një vend të lirë në trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë i janë përgjigjur 6 persona.

Shifra në fjalë i referohet numrit të aplikimeve të regjistruara në protokollin e KLGJ, për vendin e lënë bosh në Gjykatën e Lartë nga ish-kryetari Xhezair Zaganjori. Burime pranë institucionit, pohuan për A2 se do të pritet edhe 48 orë deri në mbylljen e listës, për t’i dhënë kohë aplikimeve që mund të jenë nisur me postë brenda afatit të parashikuar.

Nga ana tjetër, KLGJ ka në dorë emrat e kandidatëve potencialë për 3 vende vakante në Gjykatën e Lartë, që i përkasin anëtarëve jogjyqtarë. Nga 22 pretendentë, filtrin e parë seleksionues, atë të përmbushjes së kritereve ligjore, e kaluan me sukses vetëm 8 prej tyre.

Pas kalimit të kësaj faze, ata do t’i nënshtrohen një verifikimi më të imtësishëm për pasurinë, figurën dhe integritetin, që do të pasohet edhe me një proces pikëzimi dhe renditjeje. Plotësimi i katër vakancave me anëtarë jogjyqtarë është hapi i parë i ringritjes së Gjykatës së Lartë, e dalë krejtësisht jashtë funksionit.

Trupa e saj përbëhet vetëm nga një anëtar, nga 19 që duhet të ketë, ndërkohë që numri i dosjeve që presin gjykimin ka kaluar shifrën 30 mijë.   

Shkarkoni aplikacionin e A2