U propozua si komisioner për zgjerimin, PE bllokon Troshanjin

Pjesëtarët e Parlamentit Evropian refuzuan të enjten kandidaturën e hungarezit Lazlo Troshanji si komsioner për zgjerimin, e gjithashtu atë të rumunes Rovana Plumb, e propozuar nga Ursula Von Der Lejen për postin e Komisioneres së Transportit.  

Komisioni për Çështjet Ligjore i Parlamentit Evropian citon konfliktin e interesit si motiv për vendimin që përfaqëson shuplakën e parë ndaj Von Der Lejen që prej emërimit si Presidente e KE. Komisioni votoi për të bllokuar rrugën e dy kandidatëve drejt seancës së konfirmimit gjatë sesionit me dyer të mbyllura. 

Mina Andreeva, zëdhënëse e KE, tha: “Kjo nënkupton se për momentin procedura pezullohet. Por, vendimet e komisionit nuk nënkuptojnë se tashmë duhet të propozohet automatikisht një kandidat i ri”. 

Sipas saj, tani gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zgjedhë të procedojë Parlamenti në koordinim me Von Der Lejen. Megjithatë, një zyrtar i Parlamentit, i cituar nga Politiko, tha se legjislatura do ta bënte shumë shpejt të qartë se dy kandidatët janë të papranueshëm. Në këtë rast, Von Der Lejen mund t’i kërkojë liderëve të Hungarisë dhe Rumanisë të propozojnë dy emra të tjerë.  

Vendimi është turpërues për kryeministrin euroskeptik të Hungarisë, Viktor Orban. Europarlamentarët e kritikuan që prej fillimit vënien e të besuarit të Orbanit në krye të çështjeve të zgjerimit, duke cituar të dhënat negative të qeverisë së Budapesit sa i përket sundimit të ligjit.   

Shkarkoni aplikacionin e A2