“Drita jeshile” për Shqipërinë, si votoi Bundestagu gjerman për negociatat

Janë zbardhur votat e deputetëve dhe partive gjermane për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Deutsche Welle raporton se nga Unioni Kristian Demokrat i kancelares Angela Merkel dhe Unioni Kristian Social pati vetëm 6 vota kundër Shqipërisë dhe 5 abstenime, ndërsa të gjithë deputetët e pranishëm në sallë të partisë tjetër të koalicionit qeverisës, asaj Social Demokrate, votuan pro çeljes së negociatave. Gjithashtu, të njëjtin qëndrim pati edhe Partia e Gjelbër.

Forca politike e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, dhe liberalët e Partisë së Lirë Demokratike votuan kundër çeljes së negociatave me vetëm me një abstenim dhe një votë pro.

Më herët Bundestagu gjerman rrëzoi një rezolutë të tyren që kërkonte hapjen e negociatave vetëm kur Shqipëria të ketë bërë përparim të qartë në prioritetet e vendosura nga Komisioni Europian.

Ndërsa dokumenti i aprovuar i koalicionit qeverisës aprovon negociatat e pranimit me Shqipërinë në Këshillin Evropian, më 17 dhe 18 Tetor 2019, por me kushtin e vetëm që konferenca e parë e pranimit të zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë konstatuar plotësimin e dy kushteve:  funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe pajisjen e tyre me numrin e duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve; miratimi i ligjit të ri zgjedhor dhe garantimin e një financimi transparent të partive dhe fushatave elektorale.

Shkarkoni aplikacionin e A2