Kapen 137 kg kokainë në Durrës, dy të arrestuar dhe një i shpallur në kërkim

Ardian Bega (m), i arrestuar dhe Genti Malindi (d) i shpallur në kërkim.

A2 ka siguruar një foto të Ardian Begës në Portin e Durrësit, duke u afruar të marrë pakot me kokainë të fshehura në dy kontejnerë. Policia e ka arrestuar Begën, bashkë me Altin Myslihakën dhe Gjykata për Krimet e Rënda dha më herët gjatë ditës masën e sigurisë arrest me burg.

Ardian Bega, i arrestuar nga Policia

Pas një operacioni të Policisë shqiptare, në bashkëpunim edhe me autoritetet greke dhe ato amerikane të DEA-s, në port u sekuestruan 137 kg kokainë, e fshehur në dy kontejnerë. Ato kishin mbërritur në Shqipëri nga Greqia, ndërsa prejardhja e saj është nga Ekuadori.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, tha se një person i tretë është shpallur në kërkim, i cili mësohet se quhet Gentian Malindi, ndërsa u shpreh se mund të ketë edhe persojna të tjerë të përfshirë. Edhe pse Policia nuk e konfirmoi zyrtarisht, pasi hetimet vazhdojnë, droga me shumë gjasa kishte si destinacion tregun europian.

Gentian Malindi, i shpallur në kërkim

“Policia e Shtetit ne bashkëpunim me Autoritetet Ligjzbatuese Greke në koordinim me Zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë finalizoi me sukses operacionin ndërkombëtar “KUITO”.

Policia Shqiptare organizoi  dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019.

Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s.

Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare.

Në realizimin e këtij operacioni, për dorëzimin e kontrolluar janë zbatuar të gjitha teknikat speciale të hetimit, të miratuara me ligjin nr. 8920., datë 11.07.2002, për Ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj”

Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu

Sipas Policisë, personat e arrestuar, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e drogës nga kontejneri ku ndodhej në sheshin e kontejnerëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurt që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit.

“Të gjitha veprimet e kryera nga shtetasit e mësipërm ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdon punën intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal”, shtoi Veliu.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës.

Shkarkoni aplikacionin e A2