Këlliçi: Jetojmë në depresion, emigracioni si në gjendje lufte

Belind Këlliçi, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, u shpreh në Ditarin e orës 13:00 se 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman janë një skaner i qartë i realitetit në vend.

9 kushtet e Bundestagut

“Inkurajim dhe ndëshkim. Inkurajim për rininë, për t’i dhënë një mesazh se ka ende shpresë dhe se ky vend mund të bëhet dhe realisht ia vlen që të punohet dhe jetohet. Patjetër që është një skaner i qartë i realitetit politik, social, ekonomik të shqiptarëve sot. 9 kushtet pasqyrojnë më së miri gjendjen reale të Shqipërisë. Sot jemi në një parlament monopartiak. Kemi 60 bashki që janë marrë nga votime farse. Është absurde që të mos pranohet ky realitet dhe të shitet si sukses. Po ikin mjekët, inxhinierët, njerëzit që duhet të çojnë ekonominë përpara. Si ka mundësi që po mbyllen shkollat, ky vend po shpopullohet. Sot gjendemi në një situatë, a thua se jemi në një luftë, konflikt ndër fetar, fetar, a thua se jemi në luftë civile. Shqipëria nuk e meriton të renditet as pas Afganistanit dhe as pas Sirisë, sa i takon numrit të azilkërkuesve dhe numrit të të rinjve që po lënë vendin”.

Opozita në tryezën për reformën zgjedhore

“Ne kemi kërkuar një reformë zgjedhore. Unë jam për ndryshim sistemi, por është qëndrim personal. E rëndësishme është që të bëhet nën monitorim ndërkombëtar. Nuk mundet që persona që kanë kryer krime elektorale, të udhëheqin këtë reformë, të jenë pjesë e reformës zgjedhore. Problemi nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Kjo tryezë është kërkuar nga Gjermanët dhe DASH, me zotin Palmer. Edi Rama ka refuzuar zgjidhjen e ofruar nga gjermanët për ndërmjetësim, i takon qeverisë dhe Ramës që të reflektojë. Jemi një shoqëri që jetojmë në depresion”.

Ku nis ndryshimi nga opozita…?

“Reformim i thellë ekonomik, rikthim i taksës së sheshtë, pse jo ulje të TVSH-së, thithja e trurit në vend. Kthim i të rinjve që janë edukuar jashtë. Duhet të ketë një ndryshim të rrënjësishëm për ligjin e arsimit të lartë, të ulen tarifat e shkollimit. Në mënyrë të padiskutueshme këtij vendi duhet t’i rikthehet shpresa”.

Shkarkoni aplikacionin e A2