Raporti paraprak i Venecias: Anulimi i zgjedhjeve, Meta tejkaloi kompetencat – A2

Raporti paraprak i Venecias: Anulimi i zgjedhjeve, Meta tejkaloi kompetencat

Raporti paraprak i Komisionit të Venecias në lidhje me veprimet e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve ka mbërritur në Tiranë dhe ndodhet tashmë si në Kuvend, ashtu edhe në Presidencë.

Venecia e ka gjetur Kreun e Shtetit në tejkalim të kompetencave kushtetuese përsa i përket 30 Qershorit. Raporti pohon qartë se Presidenti Meta nuk i kishte kompetencat për të anuluar datën e zgjedhjeve. Ky arsyetim duket se lë në fuqi edhe zgjedhjet e 30 Qershorit, të paktën përsa i përket vlerësimit të Komisionit të Venecias. 

Nga ana tjetër, ekspertët e Venecias nuk i vlerësojnë këto veprime të Presidentit si shkelje të rëndë kushtetuese, gjë që mund t’i kushtonte atij mandatin presidencial. 

“Megjithëse Presidenti i tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale pa bazë ligjore specifike, elementet e prezantuara më sipër mund të çojnë në përfundimin se këto veprime mund të mos kenë qenë aq të rënda sa për shkarkimin e Presidentit”, lexohet në raport.

Ndërkohë që raporti i Venecias duket se lejon Ilir Metën të qëndrojë në krye të Shtetit, burime nga mazhoranca i thanë A2 se i takon Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojnë nëse bëhet fjalë për shkelje të rëndë apo jo.

Në raport thuhet gjithashtu se asnjë parti politike, sado popull apo elektorat të përfaqësojë, nuk ka të drejtën të bojkotojë zgjedhjet sepse do të ishte levë në duart e partive politike për të bllokuar zgjedhjet e radhës.

Në përfundim të dokumentit prej 19 faqe, Komisioni i Venecias arrin në konkluzionin se:

1.      Në mungesë të një dispozite ligjore të posacme, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm në një situate që plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme.

2.      Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen nga autoritetet shtetërore të masave të jashtëzakonshme. Në rastin konkret, rregullat kushtetuese për marrjen e masave të jashtëzakonshme nuk janë ndjekur në këtë rast dhe as nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte këtë krijimin e një baze ligjore ad hoc për shtyrjen e zgjedhjeve.

3.      Anulimi i zgjedhjeve ndikon gjithashtu në të drejtat për të zgjedhur të njohura instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe çdo ndërhyrje kërkon respektimin e parimit të proporcionalitetit.

4.      Mungesa e një baze ligjore dhe disponueshmëria e alternativave (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave të jashtëzakonshme sipas nenit 170 të Kushtetutës ose rifillimit të dialogu politik pas zgjedhjeve) bën ndërhyrjen në të drejtat pë të zgjedhur joproporcionale.

5.      Bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektorati nuk mund të ndalojnë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të kishin një mjet për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje.

6.      Megjithëse Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore, rrethanat që e diktuan mund të çojnë në përfundimin se akti i tij nuk mund të jetë i një natyre mjaft serioze që passjell shkarkimin e Presidentit.

Shkarkoni aplikacionin e A2