Shtëpia e torturës, policia në Nigeri liron rreth 500 meshkuj nga zinxhirët

Publikuar më: 27/9/2019, ora 20:08

Shtëpia e torturës, policia në Nigeri liron rreth 500 meshkuj nga zinxhirët

Publikuar më: 27/9/2019, ora 20:08

Zbulohet një shtëpi torture në Nigeri. Policia shpëtoi rreth 500 meshkuj nga një ndërtesë në qytetin verior të Kadunës, të cilët mbaheshin të lidhur me zinxhirë dhe dhunoheshin vazhdimisht. Mes tyre kishte dhe fëmijë nga mosha 5 vjeçare.

Forcat e rendit deklaruan se ndërhynë në ndërtesën që strehonte një shkollë islamike, pas dyshimeve për aktivitete të paligjshme.

Në shikim të parë ishte një shkollë islamike, por brenda torturoheshin qindra të rinj

 “Fëmijë të vegjël nga i gjithë vendi madje dhe nga shtete të tjera janë sjellë
këtu duke i lidhur me zinxhirë. Ata janë përdorur dhe dhunuar, siç mund ta shikoni dhe vetë” deklaroi shefi i Policisë lokale Ali Janga.

Viktimat, në gjendje shumë të rëndë emocionale por edhe shëndetësore, thanë se ishin torturuar, abuzuar seksualisht, privuar nga ushqimi dhe bllokuar të largoheshin nga ndërtesa. Disa prej tyre kishin qëndruar aty për disa vjet.

Nuk është ende e qartë se si përfunduan në atë godinë, por fëmijë të ndryshëm pohuan për policinë se ishin dërguar nga të afërm, duke besuar se ndërtesa ishte një shkollë për mësimin e Kuranit. Gjatë operacionit të policisë janë arrestuar 8 persona, shumica mësues.