Alibeaj: Rama rikthen në poste drejtuese policët që mbollën Shqipërinë me drogë

Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat nga selia e PD, akuzoi Edi Ramën se ka rikthyer në polici njerëzit e ish-ministrit të Brendshëm.

Ai përmendi drejtorin e Policisë së Lezhës dhe atë të Policisë Rrugore, duke akuzuar se kanë mbjellë Shqipërinë me drogë.

“Dy emërimet e reja në poste të larta drejtuese në policinë e Shtetit, drejtori i ri i Lezhës dhe ai i Policisë Rrugore, tregojnë se Edi Rama nuk ka në plan të plotësojë kushtet e Europës për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, sepse plani i tij i vetëm janë vjedhja e zgjedhjeve nga bashkëpunimi i shtetit me krimin. Drejtori i ri i policisë së Lezhës Erigert Mitri ka dy pika kulminante në karrierën e tij, që e lidhin drejtpërsëdrejti me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Ai ishte shef i komisariati kur avioni i drogës ra në Divjakë dhe ndihmoi për fshehjen e provave të trafikut të drogës me avion. Drejtori i ri i Policisë në Lezhë, Erigert Mitri, njeri i Erion Braçes, ishte kryepolici që mbolli Burrelin me kanabis.

Kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e njohin aktivitetin kriminal të drejtorit të tyre të ri nga dokumentat e Shërbimit Informativ, pasi emri i tij është mes emrave të mbi 120 policëve që morën pjesë në kanabizimin e Shqipërisë bashkë me trafikantët e drogës.

Edhe Drejtori i ri i Policisë Rrugore Edmond Targaj njihet në Policinë e Shtetit si një nga drejtuesit e lartë të policisë i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Edmond Targaj bashkëpunoi me disa grupe kriminale në zonën e Dibrës për ta mbjellë atë me kanabis gjatë kohës që drejtoi policinë e Dibrës dhe, bashkë me drejtues të tjerë të policisë, i shërbyen Edi Ramës për të vjedhur zgjedhjet.  Edmond Targaj është graduar në detyrë duke qenë pjesë e dosjes 184. Partia Demokratike i ka denoncuar të dy këta drejtues të inkriminuar të policisë që në vitin 2016, por me mbrojtjen e duhur politike, ata jo vetëm nuk janë ndëshkuar nga drejtësia, por po riciklohen sërish dhe po ngjiten në karrierë si drejtues të policisë për t’i shërbyer pushtetit të korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2