Basha, Kolegjit të Kryetarëve: Partia të punojë si të ketë zgjedhje nesër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kërkuar Kolegjit të Kryetarëve që të punojnë si të ketë zgjedhje nesër.

Mbledhja e sotme e 61 krerëve të PD-së në të gjithë Shqipërinë kishte në fokus, sipas burimeve të A2, riorganizimin e partisë.

Ka qenë një porosi e rëndësishme e zotit Basha që u është deleguar atyre, duke u nisur nga fakti se gjatë gushtit në të gjitha degët e PD-së ka pasur riorganizim të strukturave dhe mbi këtë analizë është bërë edhe mbledhja e pasdites së të shtunës.

Duket se Partia Demokratike do ta përshpejtojë parapërgatitjen për zgjedhje.

Ndërkohë, sot Basha ka takuar edhe zotin Eduard Selami, ish-kandidati për kreun e PD-së përballë Bashës. Selami është kthyer sot në selinë blu dhe ka pasur një takim kokë më kokë me Bashën. Ndërsa mbrëmjen e djeshme, Basha ka takuar edhe kreun e LSI-së, Monika Kryemadhin, për të diskutuar mbi aksionin opozitar që do të vijojë të shpeshtohet edhe më shumë në ditët në vijim.

Nesër paradite pritet të jetë edhe mbledhja e përbashkët mes Kryesisë së PD dhe grupit të ish-deputetëve, për të diskutuar mbi aksionin e radhës përballë mazhorancës.

Ndërkohë, zyra e shtypit e Partisë Demokratike shpërndau për mediat një njoftim pas përfundimit të mbledhjes. Më poshtë e lexoni të plotë:

Situata politike në vend ka qenë në fokus të mbledhjes së Kryetarit të PD me kryetarët e partisë në rrethe. Pas raportimeve për përmbushjen e detyrave për organizimin e partisë, që janë realizuar në periudhën Korrik- Shtator, Basha ka theksuar se tashmë partia duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale dhe për aksion politik.

Vendi është në një krizë të thellë shumëplanëshe dhe detyra e PD dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i hapur rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë. Opozita ka dhënë propozimet e veta për zgjidhjen e krizës në vend, që kalon përmes zgjedhjeve të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garanton standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Pranë Partisë Demokratike do të ngrihet shtabi qendror elektoral dhe politik, shtabe që do të shtrihen në mënyrë piramidale në të gjithë vendin.

Puna do të përqendrohet në planin e ofrimit të zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të qeverisë, bashkimi i faktorëve dhe aktorëve me potencial njerëzor dhe elektoral pranë PD, si dhe hapja e partisë për njerëz me integritet profesional e moral.

Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka paraqitur Kryetarëve të Degëve një kalendar të qartë dhe konkret pune, me përgjegjësi dhe afate të qarta.

Ndërkohë, për aksionin politik që përfshin edhe protestat, është vendosur që format dhe afatet të përcaktohen në një moment të dytë për të shmangur shfokusimin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit europian.


Shkarkoni aplikacionin e A2