Komisioni për shkarkimin e Metës, Zeneli: Të ndalen retorikat politike, askush të mos ndërhyjë

Nënkryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Alban Zeneli, ka folur pas opinionit të Komisionit të Venecias, ku në raportin e të cilit thuhej se Meta kaloi kompetencat me zhdekretimin e 30 qershorit.

Zeneli kërkon ndaljen e menjëhershme të çdo lloj retorike politike dhe thekson se askush nuk duhet të ndërhyjë në punën e komisionit.

“Komisioni i Venezias foli dje me Opinionin e tij. Është me rëndësi jetike për mënyrën sesi duhet të funksionojnë në demokraci institucionet dhe zhvillohen proceset që ne të mos biem pre e lojës së zakonshme politike e partiake të interpretimeve sipas anës që na pëlqen.

Kërkohet nga ne që të bëjmë e dëshmojmë maturi demokratike dhe institucionale.

Kuvendi i Shqipërisë ka mandatuar një Komision Hetimor për Çështjen e Presidentit të Republikës dhe askush nuk duhet të ndërhyjë në punën e këtij Komisioni Hetimor.

Si Nënkryetar i këtij Komisioni Hetimor unë bëj thirrje për ndaljen e menjëhershme të çdo retorike politike mes palëve.

Vetë procesi që ka hapur Kuvendi i Shqipërisë dhe procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, janë një çështje tejet serioze për një shtet serioz anëtar të NATO dhe aspirant për Anëtarësim në BE.

Nuk mund të lejojmë politikën e ditës dhe interesat e ngushta të partive dhe palëve që me retorika boshe, të panevojshme dhe interpretime partizane, të bëjnë pis apo dëmtojnë procesin në zhvillim.

Si Nënkryetar i Komisionit Hetimor dua të siguroj çdo shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtar se puna e këtij Komisioni dhe i gjithë procesi do të jenë të pandikueshme politikisht, të pastra dhe me integritet të plotë.

Integriteti i punës së Komisionit Hetimor ka rëndësi shumë më të madhe se përfundimet e tij në fund të mandatit të tij.

Ta mbrojmë me gjithë fuqinë tonë integritetin e punës së Komisionit Hetimor. Gjej rastin edhe njëherë të falenderoj e vlerësoj kontributin dhe opinionin e Komisionit të Venezias”, reagoi Zeneli.

Shkarkoni aplikacionin e A2