Vota e Bundestagut për negociatat, Soreca: S’do të flas për kushte të reja

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, përshëndeti këtë të shtunë votimin në Bundestagun gjerman për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai theksoi se ky është një vendim shumë i rëndësishëm, pasi Gjermania ka një rol të madh në BE. Sa i përket kushteve, ambasadori theksoi se disa fusha ishin identifikuar më parë.

“Jemi shumë të kënaqur për rezolutën e rëndësishme të Bundestagut gjerman, duke njohur progresin që ka bërë Shqipëria, duke identifikuar po ashtu edhe disa fusha të cilat ishin identifikuar më parë dhe kështu që nuk do të flas për kushte të reja.

Gjermania është një vend shumë i rëndësishëm në BE për rolon që luan. Megjithatë kemi të gjitha shtetet e tjera të BE që vazhdojnë diskutimin. Ky është vetëm një hap në këtë rrugë”, tha Soreca.

Sa i përket situatës politike në vend, Soreca bëri edhe njëherë tjetër thirrje për dialog dhe përshëndeti vendimin e opozitë për t’u ulur në tryezën e Reformës Zgjedhore.

“Mirëpres vendim që u mor nga opozita për t’u bërë pjesë e reformës zgjedhore të udhëhequr nga OSBE. Të gjitha palët duhet të kuptojnë që duhet të bashkëpunojnë. Kur të merret ai vendim për negociatat për Shqipërinë, të gjitha palët duhet të kuptojnë se përgjegjësia është e përbashkët”, tha Soreca.

Shkarkoni aplikacionin e A2