Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, humbja jashtë “fjalorit”

Ethe shkarkimi dhe domosdoshmëri për të thyer tabunë. Kështu do të jenë 90 minutat në “Selman Stermasi”, me Tiranën dhe Partizanin që përplasen në derbin numër 154.

Supersfida e kryeqytetit do të vendosë të ardhmen e trajnerit Lerda, stoli i të cili lëkundet jo pak pas startit negativ të kampionatit megjithatë trajneri italian kërkon të shmangë presionin duke mohuar ultimatumin e presidentit Demi, të regjistruar nga kamerat e A2 News.

“Nuk kuptoj shqip, nuk e di ça shkruhet. Personalisht presidenti Demi nuk më deklaruar asgjë. E kam të vështirë ta besoj diçka të tillë. Nuk e ndjejmë aspak veten nën presion. Brenda skuadrës jemi mjaft të qetë. Kjo ndeshje ka një rëndësi mjaft të veçantë. Për ne si skuadër ka rëndësi sepse kërkojmë pikët, por edhe ambientin, për vetë historinë që ky derbi mbart në kampionatin shqiptar. Tirana është një skuadër e mirë. E kam ndjekur edhe në ndeshjen e fundit që ka zhvilluar me Kukësin të cilën nuk meritonte ta humbte”, deklaroi Lerda.

Tjetër atmosferë i përket kampit bardheblu, i cili është më optimist se kurrë. Tashmë me një kontigjent më cilësor lojtarësh dhe me rezultate në pesë javët e para, Tirana së bashku me trajnerin Mema beson se është koha e duhur për të thyer mallkimin dhe për të mposhtur Partizanin.

Nën atmosferën e jashtëzakonshme të dy tifozerive më të mëdha në vend dhe me biletat e ezuruara totalisht,  kryeqyeti do të mbajë frymën sot prej orës 19:00, për të shijuar emocionet që vetëm një derbi i tillë mund të dhurojë.

Shkarkoni aplikacionin e A2