Hapja e negociatave, ministri Blok: Holanda nuk ka ndryshuar qëndrim

“Holanda nuk ka ndryshuar ende mendim për çështjen e hapjes së negociatave për Shqipërinë”, raporton blogu online tsarizm.com

Gjatë një takimi të Komitetit Parlamentar për Çështjet e Jashtme, Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, konfirmoi se nuk ka asnjë të dhënë se parlamenti holandez ka ndryshuar qëndrim për Shqipërinë. Sipas tij negociatat me Shqipërinë do të hapen në kohën kur të jenë plotësuar 5 kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian në vitin 2018.

Në qershor parlamenti holandez miratoi një mocion të mbështetur nga tre parti që të bllokonte qeverinë nga miratimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë. Në princip, qeveria mund ta injorojë këtë mocion, megjithatë një që e tillë nuk pritet që të ndodhë, duke konsideruar dhe faktin për numrat që ajo ka në senat. Këtë javë Bundestagu gjerman votoi për hapjen e negociatave me Shqipërinë, më bisedimet teknike që do të nisnin vetëm pas përmbushjes së disa kushteve shtesë si ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe miratimi i ndryshimeve në reformën zgjedhore.

Muajin e ardhshëm, Këshilli i Evropës pritet të vendosë nëse do të hapë apo jo negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi duhet të jetë unanim. Por me veton e holandezëve duket se kjo gjë nuk do të ndodhë.

Shkarkoni aplikacionin e A2