Milan, tatëpjeta nuk ka fund, mundet në shtëpi nga Fiorentina

Nuk ka fund e keqja për Milan-in. Pas humbjes në mesjavë kundër Torino-s, kuqezinjtë mposhten në shtëpi 3-1 edhe nga Fiorentina, e cila bën një ndeshje shumë të mirë në “San Siro”.

Miqtë e nisin fuqishëm dhe që në 11’ Chiesa vë në provë Donnarumma-n, por portieri vendas tregohet i vëmendshëm. Por vetëm dy minuta më vonë gjërat marrin tatëpjetën për Milan-n. Bennacer rrëzon një kundërshtar në zonë dhe arbitri Giacomelli akordon 11-metërsh, që realizohet nga Pulgar. Chiesa shënon përsëri për Fioren por goli i tij anulohet prë pozicion jashtë loje, ndërsa Suso provon të barazojë me një goditje fantastike në hyrje të zonës por portieri Dragoëski i mohon golin.

Në pjesën e dytë gjërat përkeqësohen për kuqezintë e Giampaolo-s, pasi Mateo Musacchio ndëshkohet fillimisht me të verdhë për një faull ndaj Ribery, por pasi VAR tërheq vëmendjen e gjyqtarit, merr karton të kuq dhe lë të tijtë me dhjetë vetë.

Mjaftojnë pak minuta dhe Fiorentina gjen golin e dytë, kur Gaetano Castrovilli përfiton nga një pakujdesi e Donnarumma-s, për të shënuar i qetë. Portieri italian rregullon mbrëmjen e vet kur i pret një penallti Chiesa-s, të fituar pas një faulli të Bennacer, por nuk ia del para ylli francez Ribery, i cili pasi driblon dy kundërshtarë shënon golin e tretë për skuadrën e tij.

Për të ngushëlluar tifozët, Rafael Leao tregon aftësitë e tij kur shënon golin e vetëm për Milan-in, pasi driblon katër kundërshtarë në një aksion individual. Por është shumë pak për kuqezinjtë, që tani e shohin veten në vend të 16 në renditje, me vetëm 6 pikë nga 6 ndeshjet e para të sezonit.

Shkarkoni aplikacionin e A2