Regjistrimet në universitete, gjysma e kuotave të paplotësuara, mbyllen degë në rrethe

Dy javë para fillimit të vitit të ri akademik, vetëm gjysma e kuotave janë plotësuar në universitete. 15 mijë të rinj janë regjistruar deri në raundin e dytë e po kaq vende kanë mbetur bosh.

Interesi i të rinjve është për shkollat e larta në Tiranë e veçanërisht për degët e Mjekësisë, inxhinieritë dhe Drejtësinë, degë që mbyllën regjistrimet në ditët e para të procesit. Por edhe sivjet në shumë programe pritet të ketë djegie kuotash

“Aktualisht janë rreth 15 mijë kuota që kanë qenë në dispozicion të maturantëve për të aplikuar. Duhet pasur parasysh që numri i maturantëve është zvogëluar në vitet e fundit, për arsye demografike apo nga më të ndryshmet. Gjë që ka bërë që edhe ata që dëshirojnë të ndjekin shkollën e lartë të jenë në një numër më të kufizuar. Mund të mbeten 7000-8000 kuota të lira apo si quhen ndryshe kapacitete pritëse, por këto janë në publik dhe privat”, deklaroi drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj.

Nga 500 programe studimi, në të gjitha institucionet e Arsimit të Larte, në universitetet e rretheve ka degë ku nuk është regjistruar asnjë kandidat. Drejtori i Rrjetit Akademik, Arjan Xhelaj thotë se nëse  nuk do të ketë kërkesa edhe në raundet e tjera, këto programe do mbyllen.

“Në ato raste kur ka numër të kufizuar studentësh dhe universiteti vendos që të mos ta hapë, atëherë ata transferohen në degë të tjera brenda universitetit. Por duhet pasur parasysh se në një numër kaq të madh programesh studimi dhe me 25 mijë maturantë do të ketë gjithmonë degë ku mund të mos ketë dhe fare aplikantë”, shtoi Xhelaj.

Pranimet për shkollat e larta janë në raundin e dytë të regjistrimeve, ndërsa viti akademik nis më 14 tetor.

Shkarkoni aplikacionin e A2